Në Shqipëri, mënyra se si trajtohen kafshët endacake lidhet ngushtë me rolin që media zgjedh t’i japë kësaj çështjeje. Edhe pse rastet e helmimeve, dhunës dhe neglizhencës ndaj kafshëve janë të shpeshta, media shpesh reagon vetëm në momente krize, duke e lënë temën jashtë vëmendjes së përditshme publike.

    Analiza e monitorimeve të fundit të mediave dhe raporteve të organizatave aktiviste tregojnë se në 6 muajt e fundit, vetëm rreth 20–25 artikuj në mediat kryesore shqiptare trajtuan kafshët endacake, shumica thjesht si lajme të vogla për ngjarje specifike, ndërsa vetëm 3–4 artikuj ishin raportime më të thelluara ose investiguese, që përfshinin shkaqet, pasojat dhe zgjidhjet e mundshme.

    Në Tiranë, çështja e kafshëve hyn në lajme kryesisht kur ndodh një rast ekstrem, si helmimet masive, protestat e aktivistëve apo reagimet e forta në rrjetet sociale. Media e pasqyron ngjarjen për disa ditë, por më pas tema zhduket nga agjenda, pa u ndjekur më tej dhe pa kërkuar përgjegjësi institucionale. Kjo tregon se kafshët nuk trajtohen si një problem i vazhdueshëm social, por si një lajm i rastit.

    Nga ana e agenda setting, media shqiptare rrallë e vendos çështjen e kafshëve në prioritet. Tema të tjera politike apo sociale marrin më shumë hapësirë, ndërsa kafshët shpesh trajtohen si çështje dytësore. Kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në perceptimin e publikut, nëse media nuk flet vazhdimisht për të, atëherë edhe shoqëria nuk e sheh si urgjencë.

    Një problem tjetër është raportimi sipërfaqësor. Shumë artikuj fokusohen vetëm te ngjarja, pa shpjeguar shkaqet dhe pasojat. Rrallëherë flitet për sterilizimin, adoptimin, ligjin për mbrojtjen e kafshëve apo përgjegjësitë e bashkive. Zëri i aktivistëve dhe veterinerëve shpesh mungon, ndërsa institucionet nuk vihen realisht në presion për zgjidhje konkrete.

    Rrjetet sociale kanë ndryshuar disi këtë realitet. Shumë raste dhune ndaj kafshëve janë bërë publike fillimisht në Instagram, Facebook apo TikTok, dhe vetëm pas reagimit të fortë të qytetarëve janë marrë nga mediat tradicionale. Në këtë mënyrë, media shpesh ndjek reagimin e publikut, në vend që ta udhëheqë atë.

    Pa raportim të vazhdueshëm dhe pa analiza të thelluara, problemi mbetet i njëjtë dhe përsëritet. Vetëm një media që jep hapësirë të mjaftueshme, trajton çështjen kritike dhe kërkon llogari nga institucionet mund të kontribuojë në ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe në ndryshime konkrete për kafshët endacake.

    Share.
    Leave A Reply